25/07/2026
Shoqata Speleologjike Shqiptare zhvilloi një ekspeditë eksploruese në shpellën "Sterra e Kujunxhiut", e cila ndodhet në zemër të Parkut Kombëtar Llogara.
Eksplorimi evidentoi një zgavër me rreth 70 metra thellësi vertikale, ndërsa hyrja e saj ndodhet në një lartësi prej 750 metrash mbi nivelin e detit.
Në fund të shpellës u konstatua një grumbull i madh gurësh, i cili mund të ketë bllokuar vazhdimin natyror të saj, duke lënë të hapur mundësinë për eksplorime të mëtejshme në të ardhmen.
Një tjetër element me interes të veçantë ishte prania e eshtrave të kafshëve të ndryshme, mes tyre dre, derr i egër, dhi, dhelpër, ujk dhe specie të tjera, të cilat mund të ofrojnë të dhëna të vlefshme për historinë natyrore dhe ekologjinë e zonës.
Çdo eksplorim speleologjik zbulon një pjesë të panjohur të trashëgimisë sonë natyrore dhe nënvizon rëndësinë e studimit, dokumentimit dhe mbrojtjes së shpellave shqiptare.
14/07/2026
Sot, me dhimbje të thellë, i dhamë lamtumirën e fundit vëllait, shokut dhe anëtarit tonë të dashur, Erkin Lika.
Erkini ishte anëtar i Shoqatës Speleologjike Shqiptare dhe i Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik të Shqipërisë, ku mbante me përkushtim detyrën e zëvendëskryetarit. Ai ishte gjithmonë i gatshëm t'u dilte në ndihmë të tjerëve, duke marrë pjesë në një numër të madh operacionesh kërkim-shpëtimi, ku kontribuoi me profesionalizëm, guxim dhe përkushtim në shpëtimin e jetëve njerëzore.
Ai e donte natyrën me gjithë zemër. E respektonte, e mbronte dhe e promovonte me pasion, duke ia kushtuar një pjesë të madhe të jetës eksplorimit dhe mbrojtjes së saj. Fatkeqësisht, pikërisht gjatë një aktiviteti sportiv në natyrë, ai humbi jetën, duke lënë pas një boshllëk të madh në zemrat e të gjithë atyre që e njohën.
Fjalët janë të pamjaftueshme për të shprehur dhimbjen që ndiejmë sot. Humbja e Erkinit është një humbje e madhe për familjen, për miqtë, për shokët dhe për të gjithë komunitetin tonë.
I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, nënës, vëllait, të afërmve, miqve dhe shokëve. Në këto momente të vështira, jemi me shpirt e me zemër pranë tyre, duke ndarë dhimbjen për humbjen e një njeriu të jashtëzakonshëm.
U prehsh në paqe, Erkin. Kujtimi yt, vepra jote dhe shembulli që le pas do të jetojnë përgjithmonë mes nesh.
26/05/2026
Gjatë kësaj fundjave, Shoqata Speleologjike Shqiptare zhvilloi një trajnim speleologjie në kuadër të kursit bazë të speleologjisë në një shpellë në zonën e Vaut të Dejës.
Gjatë eksplorimit të një dege të paeksploruar më parë të shpellës, u konstatua prania e një mjeti shpërthyes të mbetur nga Lufta e Dytë Botërore, i identifikuar si bombë e tipit SRCM 35.
Menjëherë pas evidentimit të saj, u njoftuan autoritetet kompetente dhe zona u sigurua sipas protokolleve të sigurisë. Në koordinim me Policinë Ushtarake do të kryhet neutralizimi dhe largimi i mjetit shpërthyes.
I bëjmë thirrje çdo vizitori, eksploruesi apo banori të zonës që të mos afrohet dhe të shmangë hyrjen në këtë shpellë deri në një njoftim të dytë nga autoritetet përkatëse.
Ju lutemi tregoni kujdes maksimal dhe respektoni masat e sigurisë. Çdo hyrje apo afrim në zonë mund të përbëjë rrezik serioz për jetën dhe sigurinë.
03/05/2026
Më 30 prill, Shoqata Speleologjike Shqiptare zhvilloi me sukses një workshop të hapur me temë “Sistemi i karstit dhe shpellave”.
Gjatë këtij takimi u trajtuan në mënyrë të thelluar proceset natyrore të formimit të shpellave dhe strukturave karstike, duke shpjeguar se si këto fenomene gjeologjike zhvillohen në kohë dhe hapësirë. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe pozicionit të Shqipërisë në këtë kontekst shkencor, si një vend me potencial të jashtëzakonshëm karstik dhe speleologjik, ende jo plotësisht i studiuar dhe i vlerësuar.
Leksioni u mbajt nga Prof.Dr Perikli Qiriazi, një emër i njohur në fushën e gjeografisë dhe karstologjisë, i cili prej dekadash ka kontribuar në studimin dhe dokumentimin e relievit karstik në Shqipëri dhe më gjerë. Me përvojën dhe profesionalizmin e tij, ai solli një panoramë të qartë shkencore dhe praktike mbi rëndësinë e këtij sistemi natyror.
Shoqata shpreh një falënderim të veçantë dhe mirënjohje të sinqertë për Profesor Qiriazin për kontributin e tij të çmuar, për gatishmërinë dhe për ndarjen e njohurive me pjesëmarrësit e workshopit.
Ky aktivitet shënon një tjetër hap në misionin tonë për të promovuar dhe zhvilluar speleologjinë në Shqipëri, si dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi vlerat e jashtëzakonshme natyrore që vendi ynë mbart.
27/04/2026
Shoqata Speleologjike Shqiptare organizon një workshop të hapur me temë:
🪨 “Speleologjia dhe Sistemi Karstit”
Ky workshop synon të prezantojë bazat e speleologjisë dhe rëndësinë e sistemeve karstike, duke trajtuar formimin e shpellave, proceset gjeologjike dhe vlerat shkencore, mjedisore dhe turistike që ato mbartin. Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të njihen më nga afër me botën nëntokësore, sfidat e eksplorimit dhe rolin e speleologjisë në studimin dhe mbrojtjen e këtyre ekosistemeve unike.
👨🏫 Referues: Prof. Dr. Perikli Qiriazi
📅 Data: 30 Prill
⏰ Ora: 18:00 – 20:00
📍 Adresa: Kullat Binjake, Kulla 1, Kati 10
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë
🔎 Të gjithë të interesuarit janë të mirëpritur!
11/04/2026
📢 Njoftim për Fillimin e Kursit të 3-të Speleologjik
Shoqata Speleologjike Shqiptare ka kënaqësinë të njoftojë organizimin e Kursit të 3-të Speleologjik, një mundësi unike për të gjithë të apasionuarit pas aventurës, natyrës dhe botës nëntokësore.
Ky trajnim është i dedikuar për aspirantët që synojnë të bëhen anëtarë me të drejta të plota në shoqatë, dhe ofrohet pa pagesë për ta.
(Shënim: Nuk përfshihen kostot personale si transporti dhe dieta.)
📅 Periudha: Fundjavat e muajit Maj 2026
🖥 E shtunë: Teori (online)
🧗♂️ E diel: Praktikë në terren
🔍 Çfarë përfshin trajnimi?
Gjatë kursit, pjesëmarrësit do të aftësohen në:
Njohjen e mjedisit të shpellave
Përdorimin e pajisjeve speleologjike
Teknikat bazë të ngjitjes dhe zbritjes me litar
Ankorimet dhe menaxhimin e linjave
Armimin dhe çarmimin e shpellave
Standardet e sigurisë gjatë aktiviteteve nëntokësore
🎓 Në përfundim të kursit, pjesëmarrësit do të kenë përvetësuar njohuritë dhe aftësitë bazë për të zhvilluar aktivitete speleologjike në mënyrë të sigurt dhe profesionale, aspirantet qe pervetesojne aftiste dhe njohurite pas testit final do te pajisjen me certifikate pjesmarrje ne kete kurs..
📩 Për aplikime dhe informacione të mëtejshme:
[email protected]
06/04/2026
Shoqata Speleologjike Shqiptare në media për eksplorimin e fundit në zonën e Prekalit Shkodër, për më tepër ndiqni emisionin.
Faleminderit MCN Tv për ftesën.
Zbulimi speleologjik në Prekal/ Brahja dhe Hrystyna: Surprizues! Le ta na bashkohen të pasionuarit
Në studion e MCN Informacion, Kledian Brahja dhe Denys Hrytsyna nga Shoqata Speleologjike Shqiptare, rrëfyen zbulimin e një shpelle në Prekal. Ata thanë se p...