29/08/2026
11 vite nga një nismë që meritonte të bëhej traditë.
Para 11 vitesh, në fshatin Orizare të Komunës së Likovës, morëm një nismë që e nisëm me shumë dëshirë, entuziazëm dhe besim se me kalimin e viteve do të shndërrohej në një aktivitet tradicional sportiv.
Ishte një garë çiklistike, e cila u prit jashtëzakonisht mirë nga banorët e Orizarës dhe fshatrave përreth. Qëllimi ynë ishte i qartë: të afrojmë të rinjtë me sportin, të promovojmë çiklizmin dhe njëkohësisht të krijojmë një traditë sportive që do t'i shërbente këtij vendi për shumë vite.
Por, për fat të keq, edhe atëherë kishte njerëz dhe struktura që tentonin ta pengonin një iniciativë të tillë. Ndoshta sepse nuk u konvenonte që një fshat të zhvillohej, të edukohej dhe të afirmohej përmes sportit.
Ne nuk u dorëzuam.
Përkundrazi, pas kësaj nisme kishim një ide edhe më të madhe: që në vazhdimësi të organizonim një maratonë çiklistike kushtuar Komandant Kumanovës – Ismet Jasharit, duke besuar se një aktivitet i tillë do të gjente përkrahjen e Këshillit Komunal dhe të institucioneve përgjegjëse.
Fatkeqësisht, pritjet tona nuk u realizuan.
Edhe pse si Klub Çiklistik “Teuta” nga Kumanova aplikuam zyrtarisht në Komunë dhe dorëzuam shkresa, të cilat edhe sot i kemi të ruajtura, nuk gjetëm bashkëpunimin dhe përkrahjen që një iniciativë sportive e këtij niveli meritonte.
Më e dhimbshmja është se për çështje të tilla shpesh u besohej njerëzve që nuk kishin përvojën dhe njohuritë e nevojshme për të organizuar një maratonë çiklistike.
Dhe këtu lind pyetja:
A mundet kushdo të organizojë çfarëdo aktiviteti, kurdo dhe si të dojë?
Jo!
Ashtu siç çdo profesion kërkon dije, përvojë dhe profesionalizëm, edhe organizimi i një aktiviteti sportiv ndërkombëtar kërkon njerëz që e njohin këtë fushë, kanë përvojë, kontakte, përgjegjësi dhe mbi të gjitha – e dinë se çfarë po bëjnë.
Para dy vitesh, maratona e kushtuar Komandant Kumanovës pothuajse dështoi.
Ne, për hir të emrit dhe figurës së Komandant Kumanovës, nuk deshëm të bëjmë bujë dhe të kritikojmë publikisht. E lamë aktivitetin të zhvillohej, edhe pse mënyra se si u organizua ishte tejet e dobët dhe zhgënjyese.
Rezultati ishte një numër simbolik pjesëmarrësish.
Dhe kjo nuk ishte rastësi.
Çiklistët nga jashtë Maqedonisë së Veriut si nga Kosova, Shqiperia,Mali i Zi, Turqia, dhe Bosnja dhe nga qytetet tjera te Maqedonise nuk kishin ardhur sepse ishin kontaktuar dhe ftuar nga Klubi Çiklistik “Teuta” nga Kumanova. Por kur vetëm dy ditë para realizimit të maratonës ne u tërhoqëm nga organizimi, pasi pamë se nuk kishte bashkëpunimin e nevojshëm, gjithçka ndryshoi.
Ata që ne i kishim kontaktuar dhe ftuar, natyrisht, nuk erdhën.
Kështu, një aktivitet që duhej të ishte një manifestim i madh sportiv dhe përkujtimor, përfundoi në një organizim me pjesëmarrje shumë të vogël.
Dhe kjo duhet të shërbejë si mësim.
Emri i Komandant Kumanovës nuk duhet të përdoret vetëm për një fotografi, një pankartë apo një manifestim formal.
Një figurë që përkujtohet duhet të nderohet me seriozitet, dinjitet dhe profesionalizëm.
Ne si Klub Çiklistik “Teuta” nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë vetëm që sporti të trajtohet me respekt dhe që njerëzit profesionistë të dëgjohen.
Sepse 32 vite përvojë nuk mund të zëvendësohen me dy ditë organizim.
Kushdo dhe cilido nuk mund të bëjë çfarë të dojë dhe kur të dojë.
Secili është i trajnuar për profesionin që ka.
Mjeku për mjekësi.
Inxhinieri për inxhinieri.
Juristi për drejtësi.
Dhe profesionisti i sportit për organizimin dhe zhvillimin e sportit.
Kur një aktivitet sportiv i besohet dikujt që nuk e njeh fushën, pasojat nuk i bart vetëm organizatori.
I bart qyteti. I bart sporti. I bart rinia. Dhe mbi të gjitha, dëmtohet vetë emri i aktivitetit që duam të promovojmë.
Ne do të vazhdojmë të besojmë se sporti është edukim, bashkim dhe zhvillim.
Dhe nëse një ditë kjo garë bëhet traditë, shpresojmë që ata që do ta organizojnë të kenë respekt për punën, përvojën dhe kontributin e njerëzve që e kanë nisur këtë rrugë 11 vite më parë.
Traditat nuk ndërtohen brenda natës.
Traditat ndërtohen me punë, përkushtim, profesionalizëm dhe respekt.
— Klubi Çiklistik “Teuta” – Kumanovë
B.Qerimi
Kjo garë u mbajt për hir të festës së Fitër Bajramit të cilën e org...