09/10/2026
HISTORI E SUKSESIT NË KAMPIONATIN EVROPIAN – MIGJEN SHALA NË PODIUMIN EVROPIAN!
Ka përfunduar me sukses 9th FAI Paragliding Accuracy European Championships, ku Klubi Aeronautik “Shqiponjat e Kastriotit” dhe ekipi i Kosovës shënuan rezultate të jashtëzakonshme në garën më të rëndësishme evropiane të precizionit në paraglajd, e cila organizohet çdo dy vjet.
Kënaqësi dhe nder i veçantë për klubin tonë që piloti Migjen A Shala arriti të zërë vendin e 3-të në Evropë, duke u ngjitur në podiumin e këtij kampionati prestigjioz. Me vendosmëri, përkushtim dhe nivel të lartë profesional, Migjeni dëshmoi edhe një herë cilësinë e pilotëve tanë.
Suksesit të tij iu bashkua edhe piloti dhe trajneri ynë Fanol Shala, i cili përfundoi kampionatin në vendin e 4-t, duke kontribuar drejtpërdrejt në arritjen e ekipit të Kosovës, i cili u rendit në vendin e dytë në Evropë.
Kosova në TOP 10 të Evropës me tre pilotë:
- Migjen Shala – vendi i 3-të
- Fanol Shala – vendi i 4-t
- Veton Sylaj – vendi i 10-të
Përfaqësuesit e klubit tonë:
- Migjen Shala – medalje bronzi në kategorinë individuale.
- Fanol Shala – vendi i 4-t dhe kontribut i rëndësishëm në suksesin ekipor të Kosovës.
- Lisjeta Thaqi – me një performancë të jashtëzakonshme, duke dëshmuar nivelin e saj të lartë, edhe pse këtë herë fati nuk ishte në anën e saj.
- Albion Hajredini – garoi për herë të parë në një kampionat të këtij niveli, duke përfaqësuar Kosovën në kategorinë Junior dhe duke qenë pjesë e ekipit kombëtar.
Në këtë kampionat, klubi ynë u përfaqësua edhe në nivelin e gjykimit. Lejla Boshnjak, në cilësinë e gjyqtares në target, së bashku me gjyqtarë nga vende të ndryshme të Evropës, kontribuoi në mbarëvajtjen dhe drejtësinë e garës.
Ekipi i Kosovës përbëhej nga:
Fanol Shala, Migjen Shala, Lisjeta Thaqi, Veton Sylaj, Gëzim Statovci, Arlind Krasniqi dhe Albion Hajredini, nën udhëheqjen e Team Leader-it, Avni Kuçi, të cilët me vendosmëri mbajten gjallë frymen ekipore per 12 raunde me radhë!
Ky rezultat është dëshmi e punës së vazhdueshme, përkushtimit dhe talentit të sportistëve tanë. Medalja e bronztë e Migjenit, vendi i katërt i Fanolit dhe medalja e argjendtë ekipore për Kosovën janë arritje që na mbushin me krenari dhe na motivojnë për sfida edhe më të mëdha.
Falënderojmë nga zemra të gjithë mbështetësit tanë, institucionet dhe secilin që na qëndron pranë në këtë rrugëtim sportiv.
Urime Migjenit, Fanolit dhe gjithë ekipit të Kosovës!
Krenarë me Shqiponjat e Kastriotit! Krenarë me Kosovën!
Linku: https://pgacc.app/tabs/competitions/view/232
Federata Aeronautike e Kosoves