Kategorisë së Dytë, vitin tjetër i bashkohen Lushnja dhe Apolonia. Menaxhimet skandaloze i sollën edhe këto dy ekipe në këtë “gropë”, ku Tomori ka vite që dergjet.
Dikur, ndër stadiumet me më shumë tifozë dhe ndeshje plot emocione; sot, këto tre qytete Berati, Fieri dhe Lushnja luajnë në një ligë që klasifikohet si amatore.
Ky po, quhet sukses !
Paneli Sportiv Tomori Berat
Sqarim ( Kjo faqe nuk është zyrtare, por përdoret nga një panel njerëzish të pasionuar për shkrimet për sportin beratas dhe futbollin veçanti.
Info: Lidhur me Tomorrin dhe Beratin
Qellimi yne te mundesojme nje ditare informimi per te gjithe.
30/04/2026
Përsëritet skandali te Tomori! Lojtarët afrikanë nxirren nga stadiumi, klubi i lë në rrugë pas kampionatit
Menjëherë pas përfundimit të kampionatit, te Tomori ka shpërthyer një situatë alarmante dhe e pazakontë, ku protagonistë janë futbollistët afrikanë të skuadrës beratase. Pasi u ka përfunduar kontrata dhe janë likuiduar me pagesën e fundit mujore, lojtarët janë njoftuar se duhet të lirojnë deri më 30 prill ambientet ku janë akomoduar në tribunën qendrore të stadiumit “Tomori”.
Sipas njoftimit të bërë në grupin e komunikimit të skuadrës, arsyeja e largimit lidhet me disa punime që janë planifikuar në ambientet e stadiumit, ndaj futbollistëve u është kërkuar të lirojnë dhomat ku qëndrojnë. Por ky vendim ka shkaktuar shqetësim të madh te lojtarët afrikanë, të cilët janë gjendur të papërgatitur përballë kësaj situate dhe pa asnjë alternativë strehimi. Të alarmuar, ata kanë nisur menjëherë përpjekjet për të kërkuar ndihmë nga autoritetet vendore, duke iu drejtuar konkretisht kryebashkiakut të Beratit, Ervin Ceca, me shpresën për të gjetur një zgjidhje emergjente. Në të njëjtën kohë, futbollistët kanë kërkuar që kjo situatë të bëhet publike edhe përmes “Panorama Sport”, me qëllim sensibilizimin e opinionit sportiv dhe publik për mënyrën sesi po trajtohen.
Të tronditur dhe të zhgënjyer nga ajo që e konsiderojnë mungesë të thellë humanizmi, lojtarët kanë shpjeguar se nuk kanë mundësi financiare të kthehen menjëherë në vendet e tyre dhe për këtë arsye kishin vendosur të qëndronin në Berat, në pritje për të mësuar nëse do të ishin pjesë e projektit të Tomorit për sezonin e ardhshëm. Në rast të kundërt, ata shpresonin që gjatë kësaj periudhe të gjenin një skuadër tjetër, qoftë edhe përmes kontakteve personale, për të vazhduar karrierën në Shqipëri. Situata është bërë edhe më e rëndë sepse, pas ndeshjes së fundit të luajtur në Delvinë, futbollistëve afrikanë u është ndërprerë edhe trajtimi ushqimor nga klubi dhe aktualisht ata po mbijetojnë me vetëfinancim. Tani, pas urdhrit për të liruar ambientet e stadiumit, rrezikojnë realisht të mbeten në rrugë.
Ironikisht, kushtet ku ata janë akomoduar në stadiumin “Tomori” janë larg standardeve normale të jetesës, me ambiente modeste dhe kushte minimale, por edhe ato pak kushte tashmë po u mohohen. Aktualisht, lojtarët janë në pritje të një reagimi nga bashkia e Beratit dhe nga kryebashkiaku, me shpresën se do të ndërhyhet për t’u lejuar qëndrimi të paktën përkohësisht në ambientet e stadiumit, si një gjest respekti për kontributin e tyre dhe mbi të gjitha për arsye humanitare. Por ajo që e bën edhe më shqetësuese këtë situatë është fakti se lojtarëve u është kërkuar të mos flasin për mediat dhe konkretisht të mos japin informacion për “Panorama Sport”, ndërkohë që përballen me urdhrin për të lënë ambientet dhe për të dalë pa zgjidhje në rrugë.
Absurditeti- Ky paradoks e bën situatën edhe më absurde:,nga njëra anë lojtarët nxirren jashtë, nga ana tjetër u kërkohet heshtje. Një skenë që ngjan më shumë me një tragjikomedi sesa me menaxhimin normal të një klubi futbolli. Madje, sipas informacioneve, kjo nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë te Tomori. E njëjta situatë është përsëritur edhe një vit më parë me futbollistë të huaj të skuadrës, gjë që shton dyshimet se justifikimi për “punime në stadium” mund të jetë vetëm një arsye formale për largimin e tyre. Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si po trajtohen futbollistët e huaj në klub, por edhe mbi përgjegjësinë morale e institucionale ndaj sportistëve që kanë dhënë kontributin e tyre gjatë sezonit. Nëse nuk gjendet shpejt një zgjidhje, rasti i futbollistëve afrikanë të Tomorit rrezikon të kthehet në një nga episodet më të turpshme të futbollit shqiptar këtë sezon.
EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL
26/04/2026
Tomori U-19 ka marrë një fitore të rëndësishme 3-4 në transfertë ndaj Egnatias në Rrogozhinë, në një ndeshje të luftuar deri në minutat e fundit dhe të mbushur me emocione e gola. Djemtë e drejtuar nga Iken Droboniku treguan karakter dhe arritën të sigurojnë një triumf plotësisht të merituar.
Spikat në këtë sfidë Ilia Toska me një tregolësh vendimtar, duke konfirmuar formën e tij të shkëlqyer dhe duke qenë ndër lojtarët më të dalluar të ekipit, krahas kontributit të rëndësishëm edhe nga shumë futbollistë të tjerë.
Pas kësaj fitoreje, Tomori U-19 renditet në vendin e katërt në një grup shumë konkurrues. Tre ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit, skuadra ka treguar një paraqitje pozitive dhe premtuese. Ky brez lojtarësh meriton vëmendje të veçantë, pasi një pjesë e konsiderueshme e tyre duhet të afrohen dhe të testohen në ekipin e parë, duke garantuar vazhdimësi dhe motivim për të ardhmen.
24/04/2026
Opinion :
Çfarë po ndodh me Tomorin?
Sezoni i fundit për Tomorin ishte zhgënjyes dhe përfundoi me shumë pikëpyetje. Klubi do të mbetet në Kategorinë e Dytë, ndërsa paqartësitë rreth organizimit dhe drejtimit pritet të shtrihen deri në verën e vonë, kur drejtuesit zgjohen për të organizuar ose riformatuar ekipin.
Bashkia e Beratit vijon të jetë pronare de juro e klubit dhe, sipas të gjitha gjasave, do të mbetet e tillë edhe për sezonin e ardhshëm. Megjithatë, situata në klub duket e ndërlikuar jo vetëm nga struktura institucionale, por edhe nga një sërë faktorësh dhe individësh të përfshirë në mënyrë indirekte ndër vite, duke krijuar një ngërç të vazhdueshëm rreth emrit “Tomori”.
Prej kohësh, ka zëra që flasin për mungesë transparence dhe menaxhim jo efikas, ku klubi shpesh është parë si i ndikuar nga interesa të ndryshme jashtë aspektit sportiv. Në këtë kontekst, roli i drejtimit dhe vendimmarrjes mbetet një nga pikat më të diskutuara.
Nga ana tjetër, kritikohet edhe praktika e punësimeve dhe shpërblimeve pranë klubit, të cilat nuk bazohen gjithmonë në konkurrencë të hapur apo kritere të qarta profesionale.
Në aspektin më të gjerë, diskutimi për Tomorin shpesh prek edhe raportin mes sportit, komunitetit dhe përgjegjësisë publike. Futbolli, si pjesë e identitetit qytetar, mbetet një aset që kërkon menaxhim të kujdesshëm dhe transparent.
Në Prefekturën e Beratit aktualisht janë katër skuadra nën menaxhim bashkiak: Tomori dhe Naftëtari në Kategorinë e Dytë, ndërsa Osumi dhe Skrapari në Kategorinë e Tretë, secila me sfidat e veta sportive dhe organizative. Në këtë panoramë, rasti i Tomorit bie në sy edhe për faktin se, pavarësisht një buxheti më të lartë krahasuar me disa prej ekipeve të tjera, skuadra sërish nuk ka arritur pritshmëritë e tifozërisë.
Në fund, rasti i Tomorit shihet nga shumëkush si pasqyrë e problemeve më të gjera strukturore që prekin jo vetëm klubin, por edhe sportin shqiptar në përgjithësi, ku stabiliteti, transparenca dhe qartësia e drejtimit mbeten ende sfida të hapura.
Në fund të këtij shkrimi, që me gjasa nuk sjell asnjë ndryshim, do të doja të shprehja ndoshta edhe një mendim në dukje ekstrem: bashkive, pa përjashtim kahu politik, duhet t’u hiqet e drejta të menaxhojnë ekipe të të rriturve. Bashkive t’u lihet vetëm një buxhet simbolik për të menaxhuar akademitë e të rinjve. Për sa i përket futbollit të të rriturve, duhet të jetë vetëm menaxhim dhe sponsorizim nga sektori privat.
Futbolli me bashki nuk është gjë tjetër vetëm dështim dhe objekt i akuzave, të cilat mbeten pa fajtor. Ndoshta kjo do të sillte vdekjen de facto të disa ekipeve futbolli, por çfarë ndryshimi do të kishte një ekip që dergjet pa identitet prej vitesh, me një ekip që nuk ekziston më...
19/04/2026
Fitore e rëndësishme për FK Tomori U19, që triumfon 2-0 përballë moshatarëve të KF Pogradecit.
Një ndeshje e dominuar nga fillimi në fund nga ekipi i drejtuar nga Iken Droboniku, ku djemtë treguan disiplinë, grintë dhe cilësi në lojë. Protagonist i takimit ishte Krios Daullxhiu, i cili me dopietën e tij i siguroi ekipit një fitore të merituar.
Gjatë ndeshjes, një lojtar i ekipit kundërshtar pësoi një dëmtim të rëndë dhe u desh transportimi i tij me ambulancë drejt spitalit. Pandeli Sportiv Tomori i uron shërim të shpejtë dhe një rikthim sa më të shpejtë në fushën e blertë.
Suksese ekipit pogradecar në ndeshjet e ardhshme!
Urime të gjithë djemve pa përjashtim, punë e shkëlqyer!
Foto ChE Sport
19/04/2026
Barazim në Delvinë. Tomori e mbyll kampionatin me një pikë në transfertë, një rezultat që i shërben më shumë ekipit të Delvinës, të cilët shmangin playout-in.
Një sezon për t’u harruar: renditemi të gjashtët, me 22 pikë në 20 ndeshje. Në transfertë vetëm 3 pikë, asnjë fitore këtë sezon bilanci më i dobët si ekip udhëtues.
Shpresojmë që Bashkia Berat të kthejë vëmendjen nga ekipi dhe të hapë dyert për sponsorizime. Strukturat drejtuese kanë nevojë për reformim dhe ekipi për një rifreskim të domosdoshëm. Ata që duhet të qëndrojnë, le të qëndrojnë; ata që e kanë mbyllur ciklin, le t’ua lënë vendin të rinjve plot energji dhe dëshirë.
Sezoni i ardhshëm pritet të jetë edhe më i vështirë. Ka gjasa që në grup të jetë edhe Lushnja, një tjetër ekip që, fatkeqësisht, është keqmenaxhuar nga bashkia përkatëse një situatë e ngjashme me tonën.
16/04/2026
Ekipi i Tomorit e mbylli sezonin në shtëpi me një fitore 5-2 ndaj Maliqit, një sukses që për shumëkënd shërben si një lehtësim në një sezon që dëshirohet të harrohet sa më shpejt. Kjo fitore e largoi ekipin nga rreziku i mundshëm për të rënë në një “play-out” drejt Kategorisë së Tretë.
Pas kësaj ndeshjeje, “Paneli Sportiv Tomori” intervistoi trajnerin e ekipit, Arberin. Në një bisedë telefonike, ai u shpreh:
“Në përgjithësi ishte një fitore pozitive, me shumë gola dhe një ndeshje që tregoi se grupi ka elementë cilësorë. Kanë qenë shumë faktorë që kanë ndikuar në mungesën e rezultateve dhe ecurisë këtë sezon. Disa prej tyre na kanë penalizuar, ndërsa në disa ndeshje fati nuk ka qenë me ne, edhe pse kemi luajtur mirë. Vuajmë shumë në aspekte që mund të korrigjohen; ekipi prodhon shumë, por nuk di të shfrytëzojë rastet, të cilat në futboll penalizojnë.
Rezultatet nuk e zbehin mundin e lojtarëve, të cilët dua t’i falënderoj të gjithë, pavarësisht se pikët dhe renditja nuk janë ato që priteshin. Kemi edhe 90 minuta për të luajtur; ndeshja e fundit është në Delvinë. Do të jetë një mundësi për t’u dhënë minuta edhe lojtarëve që kanë qenë më pak të aktivizuar. Shkojmë për një rezultat pozitiv dhe presim një përballje të luftuar nga të dy ekipet.”
I pyetur për të ardhmen e tij dhe mundësinë e vazhdimit me Tomorin, trajneri shtoi:
“Ishte një sezon i vështirë dhe emocionalisht shumë i ngarkuar, ndoshta një nga periudhat më të vështira në karrierën time si trajner. Jam ndjerë disi i vetëm në këtë rrugëtim dhe shpesh më është dashur të merrem edhe me çështje që nuk i përkasin profilit të trajnerit.
E ardhmja ime është ende e hapur. Dëshira ime është të qëndroj dhe të vazhdoj këtë projekt, me synimin për ta rikthyer ekipin fillimisht në Kategorinë e Parë, e më pas pse jo, të ëndërrojmë për më shumë.
Nuk kam pasur ende një bisedë konkrete, por vazhdimi i bashkëpunimit do të ishte i mundur vetëm nëse do të kisha garanci dhe mbështetje të plotë nga ana e Bashkisë Berat. Ky është një kusht i panegociueshëm: garancia për mbështetje të plotë nga bashkia. Në të kundërt, nuk e shoh të arsyeshme të përfshihem në një tjetër sezon të vështirë, me problematika që e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë punën e një trajneri futbolli.” u shpreh Klodian Arbëri.
FK Tomori ka arritur një fitore të rëndësishme me rezultatin 5–2 ndaj KF Maliqi.
Ky sukses siguron matematikisht qëndrimin në kategori dhe mban ekipin në garë për një vend në playoff.
Aktualisht, skuadra renditet në vendin e gjashtë, vetëm një pikë larg vendit të pestë, duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e fundit.
Java 19 Gr B
Renditja N F B H G-P Pike
1.Butrinti 18 13 2 3 31-11 41
2.Bylis B 19 12 5 2 34-17 41
3.Oriku 18 12 4 2 35-10 40
4.Partizani B 18 11 3 4 41-11 36
5.Maliqi 18 6 4 8 24-28 22
6.Devolli 19 6 3 10 23-43 21
7.Delvina 18 6 1 11 25-35 19
8.*TOMORI* 18 6 3 9 21-29 18
9.Eagle 18 3 7 8 23-36 16
10.Kelcyra 18 4 3 11 19-39 15 (Play-out II-III)
11.SHkumbini 18 3 3 12 20-32 12 (Kategoria III)
Përfundon në Devoll, Tomori mposhtet në fund 4-3.
Vazhdon seria negative në transfertë: vetëm 2 pikë në 9 ndeshje , një bilanc alarmues që tregon qartë problemet e ekipit jashtë fushe dhe jo vetëm.
Kanë mbetur edhe dy takime për t’u luajtur dhe rreziku i playout-it është më real se kurrë. Nëse nuk vjen një reagim i menjëhershëm, sezoni mund të mbyllet në mënyrën më të keqe të mundshme.
Deri tani, ky sezon mund të konsiderohet pa dyshim një dështim total.
Sot në Bilisht, Tomori kthehet të luaj mbas një kohe të gjatë pushimesh.
Transfertat këtë vit për ekipin tonë kanë qenë katastrofë, vetëm 2 pikë janë grumbulluar në 8 takime të luajtura..
Ndeshje delikate, shpresojmë tek fitorja e parë në transfertë për këtë sezon futbollistik.
Click here to claim your Sponsored Listing.
Location
Category
Website
Address
Rruga Antipatrea
Berat
5002