13/11/2026
HASAN GURABARDHI, NJË JETË KUSHTUAR VOLEJBOLLIT. NGA KAMPIONI I ERZENIT TE TRAJNERI I SUKSESSHËM I SKUADRAVE FEMËRORE
Në historinë e volejbollit shqiptar ka emra që kanë lënë gjurmë jo vetëm për atë që kanë arritur si sportistë, por edhe për kontributin e dhënë në ndërtimin e brezave të rinj dhe në sukseset e skuadrave që kanë drejtuar. Një prej tyre është Hasan Gurabardhi, ish-volejbollisti i Erzenit të Shijakut, pjesë e një prej periudhave më të lavdishme të këtij ekipi, dhe më pas trajner që ka fituar tituj kampionë, kupa kombëtare dhe ka drejtuar edhe Kombëtaren shqiptare të femrave.
NGA ERZENI I SHIJAKUT TEK SUKSESET KOMBËTARE
Hasan Gurabardhi e nisi rrugëtimin sportiv në Shijak, me skuadrën e Erzenit, klub që për vite me radhë u kthye në një simbol të krenarisë së qytetit dhe një histori suksesi në volejbollin shqiptar.
Ai u dallua në rolin e organizatorit, duke u bërë një prej lojtarëve të rëndësishëm të skuadrës shijakase. Më pas vazhdoi karrierën edhe me Partizanin e Lokomotivën, duke qëndruar në aktivitet si volejbollist deri në vitin 2002.
Periudha më e rëndësishme e karrierës së tij si lojtar lidhet me Erzenin, skuadër me të cilën përjetoi sukseset më të mëdha. Gurabardhi ishte pjesë e ekipit që sfidoi traditën e emrave të mëdhenj të volejbollit shqiptar, si Dinamo, Partizani dhe Tirana.
Erzeni përjetoi një periudhë të jashtëzakonshme në fundin e viteve 1990. Nga viti 1997 deri më 1999, skuadra shijakase u shpall tri herë radhazi kampione e Shqipërisë, duke fituar gjithashtu kupat kombëtare të kësaj periudhe.
Gurabardhi ka kujtuar emocionet e atyre viteve, kur Erzeni përballej me skuadrat më të njohura të vendit. Ai ka veçuar veçanërisht përballjet me Dinamon e Asllan Rusit dhe Partizanin e Dashamir Fagut, duke vlerësuar nivelin e lartë të kundërshtarëve, por edhe krenarinë që ndiente skuadra e Shijakut kur arrinte të rivalizonte me ta.
“Jam krenar që kam dalë nga ajo fushë dheu, nga ajo palestër e vogël e asaj shkolle. Nostalgjia fillon në qytetin e zemrës, në Shijak”, - është shprehur ai. Për Gurabardhin, Erzeni nuk ishte thjesht një skuadër, por përvojë që përcaktoi gjithë rrugëtimin e tij në sport.
NGA PARKETI NË PANINKINË, NJË TRAJNER I LIDHUR ME SUKSESIN
Pas përfundimit të karrierës si lojtar, Gurabardhi iu përkushtua profesionit të trajnerit, duke u orientuar kryesisht drejt volejbollit të femrave.
Ai drejtoi disa prej skuadrave të njohura të kampionatit shqiptar, ndër të cilat Minatorin, Teutën, Partizanin, Tiranën dhe Marin Barletin.
Në këto skuadra ndërtoi një profil të dallueshëm si trajner, duke u bërë pjesë e sukseseve të rëndësishme të volejbollit të femrave. Një kapitull i veçantë i karrierës së tij është ai me “Marin Barleti Volley”, ku arriti rezultatet më të spikatura si trajner klubesh.
Nën drejtimin e tij, skuadra universitare u shndërrua në një prej forcave kryesore të volejbollit shqiptar, duke fituar:
• 4 tituj kampionë të Shqipërisë;
• 4 Kupa të Republikës;
• 20 kupa të organizuara nga Federata Shqiptare e Volejbollit, sipas bilancit të publikuar në motivacionin zyrtar të dekorimit të tij.
Ky është një bilanc që dëshmon vazhdimësinë e suksesit dhe aftësinë e tij për të ndërtuar skuadra konkurruese në nivelet më të larta të volejbollit vendas.
Me “Barletin”, Gurabardhi punoi për disa sezone, deri më 2018-2019. Në atë sezon, skuadra u eliminua nga Tirana në gjysmëfinalet e fazës “play-off”.
NË KRYE TË KOMBËTARES SHQIPTARE
Një tjetër vlerësim i rëndësishëm për punën e Gurabardhit ishte besimi për të drejtuar ekipin kombëtar të femrave. Nga viti 2008 deri më 2016, ai ishte trajner i kombëtares shqiptare të volejbollit për femra, duke përfaqësuar vendin në veprimtari të ndryshme ndërkombëtare.
Tetë vite në drejtimin e përfaqësueses përbëjnë një prej periudhave më të rëndësishme të karrierës së tij, pasi e vendosën në një pozicion përgjegjësie përtej rezultateve me skuadrat e kampionatit.
Përvoja me kombëtaren i dha mundësinë të punonte me volejbollistet më të mira të vendit dhe të përfaqësonte Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
RIKTHIMI TE TIRANA PAS 11 VITESH
Pas përfundimit të aventurës me “Barletin” në sezonin 2018-2019, Gurabardhi qëndroi për disa vite larg pankinës. Në qershor 2023, ai u rikthye në drejtimin e Tiranës në volejbollin e femrave, duke marrë një tjetër sfidë në karrierën e tij.
Ishte një rikthim pas 11 vitesh, pasi për herë të fundit kishte drejtuar skuadrën bardheblu në sezonin 2011-2012.
Në një prononcim, Gurabardhi nuk e ka fshehur lidhjen emocionale me Tiranën dhe dëshirën për ta rikthyer skuadrën te trofetë. Ai kujtonte edhe pengun e një titulli kampion që Tirana kishte humbur pas largimit të tij në vitin 2012.
Objektivi i rikthimit ishte i qartë: ndërtimi i një skuadre që të luftonte për të gjitha trofetë. Në mars 2024, pak ditë përpara finales së Kupës së Shqipërisë kundër Skënderbeut, Gurabardhi u largua nga drejtimi i Tiranës. Ai bëri të ditur se vendimi kishte ardhur për arsye personale, pa dhënë hollësi të tjera.
VLERËSIMET DHE TITUTJTË E FITUAR
Kontributi i Hasan Gurabardhit në volejbollin shqiptar është vlerësuar edhe me disa tituj dhe nderime.
Ndër vlerësimet më të rëndësishme janë:
Mjeshtër Sporti – titull që dëshmon vlerësimin për karrierën dhe rezultatet e tij në volejboll.
Qytetar Nderi i Shijakut – mirënjohje nga qyteti i tij, ku Gurabardhi është pjesë e historisë së artë të Erzenit.
Një prej 10 sportistëve më të mirë të rrethit të Durrësit – vlerësim i marrë në anketën sportive të zhvilluar në këtë rreth.
Këto nderime janë dëshmi e vlerësimit që ka gëzuar në komunitetin sportiv dhe në qytetin e tij. Por një prej momenteve më të rëndësishme të vlerësimit institucional erdhi në vitin 2022.
Presidenti i atëhershëm i Republikës, Ilir Meta, e dekoroi Hasan Gurabardhin me titullin “Mjeshtër i Madh”, në vlerësim të rezultateve të larta si volejbollist dhe trajner.
Në motivacionin e këtij nderimi u theksuan veçanërisht sukseset si organizator i Erzenit të Shijakut, me të cilin u shpall kampion për disa vite radhazi, si dhe arritjet si trajner kampion me Tiranën, Minatorin, Marin Barletin dhe ekipin kombëtar.
NJË TRASHËGIMI QË LIDH SHIJAKUN ME VOLEJBOLLIN SHQIPTAR
Historia sportive e Hasan Gurabardhit është e lidhur ngushtë edhe me traditën familjare të volejbollit në Shijak. Ai është nipi i Ali Gurabardhit, një prej figurave të njohura të këtij sporti dhe një prej njerëzve që kontribuuan në zhvillimin e volejbollit në qytet.
Rrugëtimi i Hasanit përfaqëson një vazhdimësi të kësaj tradite, por edhe një kontribut të vetin, të ndërtuar përmes sukseseve si lojtar, trajner klubesh dhe drejtues i kombëtares.
Nga Erzeni kampion i viteve 1997-1999, te trofetë e shumtë me Marin Barletin dhe tetë vitet në drejtimin e përfaqësueses shqiptare, Gurabardhi ka qenë pjesë e disa prej kapitujve të rëndësishëm të volejbollit tonë.
Një karrierë që nuk matet vetëm me numrin e trofeve, por edhe me vazhdimësinë, përkushtimin dhe brezat e volejbollisteve që ka drejtuar e përgatitur.