04/09/2026
VIZITË E VEÇANTË NË STËRVITJE
KF ES pati nderin dhe kënaqësinë të mirëpresë në një vizitë të veçantë gjatë stërvitjes së futbollistëve të rinj, ish-trajnerin Jusuf Arifi – Cufo, një emër me përvojë dhe kontribut të çmuar në futbollin tonë.
Gjatë karrierës së tij profesionale, Jusuf Arifi – Cufo ka qenë trajner i KF Kamjani, KF Drita dhe KF Shkëndija e Tetovës, ndërsa njëkohësisht ka dhënë kontribut të rëndësishëm edhe në arsim, duke punuar si profesor i Edukatës Fizike në Gjimnazin e Tetovës.
Gjatë vizitës së tij, ai ndoqi nga afër procesin stërvitor dhe punën që po zhvillohet me futbollistët e rinj të klubit tonë. Me përvojën dhe bagazhin e tij profesional, ai ndau këshilla të vlefshme për zhvillimin e tyre, duke vlerësuar pozitivisht talentin, përkushtimin, disiplinën dhe dëshirën që këta të rinj tregojnë çdo ditë në fushën e lojës.
Vlerësimet dhe fjalët motivuese të një figure me një përvojë të tillë janë një shtysë dhe motivim i madh për futbollistët tanë të rinj, të cilët me punë, përkushtim dhe disiplinë po ndërtojnë rrugën e tyre drejt së ardhmes.
KF ES shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e sinqertë për ish-trajnerin Jusuf Arifi – Cufo për vizitën, këshillat e vlefshme dhe mbështetjen ndaj punës me të rinjtë.