16/01/2022
Stavri Sinjari
KËNGËT QË ZGJUAN VËLLAZËRINË
Ngjarjet reale e të vërteta mbeten, pak ndryshojnë, rrjedhin ndër breza në formë tregimesh, me zbukurimet e kohës duken si përralla të bukura e të besueshme.
Diçka të tillë dua të tregoj për një natë qershori të vitit 2004, në Prizren.
Qyteti gëlonte për përgatitjen e festës kombëtare, Lidhjes së Prizrenit! Një koncert disaditor do të zhvillohej lart në Kala. Drejtuesi i Shoqërisë Artistike “Agimi” Kadri Skeja, më dha lajmin se Komuna kishte ftuar grupin “Antipatrea” të Beratit! Për mua, bënte lajm ardhja e një miku të vetëm dhe jo më e një autobuzi plot me miq e shokë nga vendlindja!
Dashje pa dashje u përfshiva në mbarëvajtjen e këtij evenimenti.
Të performoje me Shoqërinë “Agimi” të Prizrenit, nuk ishte e lehtë. Prej 78 vjet aktivitet aty lëvrohet kënga, kori, vallja, drama etj. Prej aty kanë dalë korifej të muzikës dhe patriotizmit, si Nexhmije Pagarusha, Anton Çeti si edhe solistë të merituar, L.Çavolli, L.Antoni, Sh.Kastrati, D.Xerxa etj.
Këtë shoqëri artistike e njihnim nga TVSH, e krahasonim me Ansamblin tonë Kombëtar!
Nuk do ishte garë, thjesht një shpalosje e shpirtit artistik të dy qyteteve. Kalaja e Prizrenit do dëgjonte këngët beratase, ku “Antipatrea” do mbartte në supet e veta një pjesëz të kulturës së përbashkët, sa vështirë dhe përgjegjësi më dukej?!
Pasiguritë ikën kur Pavlo Shkarpa, presidenti i “Antipatreas” më tha, se ishin me formacionin më të mirë të mundshëm. Kishin korin e këngës qytetare, instrumentistë me përvojë, solistët yje Vergjini Mile, Hyrije Saraçi, Ludmilla Baballëku, si dhe S.Kulen, L.Koshon, në veçanti udhëheqës artistik maestron Fatbardh Dervishi.
Folëm për nisjen, mbritjen, akomodimin, koncertin dhe për një marrëveshje të mundëshme kulturore midis dy shoqërive artistike?! Pali i gatshëm, i papërtuar tha, ta bënim realitet këtë propozim!
Kryetari i Bashkisë së Beratit nuk do vinte në festën e Prizrenit, shans i humbur…!
Njihesha me bordin “Agimi”, me Kadrin, Sylën, Sybin, Luanin, Limanin, Festimin etj. U tha u bë, takimi u la ditën e ardhjes së grupit në selinë e shoqërisë, në qendër të qytetit. Prizreni e ka qendrën afër Urës Gurit mbi lumin që përshkon qytetin, një shesh tipik mesjetar, rrethuar me lokale e dyqane, rrotull një çezme me katër dalje, ku uji rrjedh e rrjedh pa pushim. Ky quhet Shatërvani, e kanë të shenjtë, simbol të qytetit, madje i kanë bërë këngë!
Thonë se, kush pi një herë ujë në Shatërvan atij nuk i ndahet Prizreni!
Si çezma e Babdudës në Berat!
Po ta presësh “tortën” e Beratit tek Babduda, me Mangalem, Osum, Urë Gorice dhe Kala sëbashku, kjo pjesë është si qendra e Prizrenit! Edhe atje janë po këto, ndryshojnë vetëm emrat:- Shatërvan, Nënkala, Lumbardh, Urë Guri dhe Kala, por miniaturë në krahasim me përmasat e këtyre objekteve, që në Berat janë disa herë më të mëdha.
Prizreni është i vjetër si Berati; është më i madh si qytet e popullsi; si histori quhet “kryeqyteti historik i shqiptarëve”; nga bukuria quhet “Dubrovniku i Ballkanit”, mbase i shkon më mirë “Berati i Kosovës”! Janë si dy pika uji dy qytetet, por do zbulonim edhe tjetër afërsi!
Autobuzi me artistët e Beratit, rreth 44 vetë, u nis në rrugën e gjatë në Prizren për një shfaqje, ku do të shenjohej një ngjarje e papërsëritëshme!
I prita në Vermicë, i parapriva me makinë deri në hotel “Prizreni”, afër qendrës. Pas një pushimi, të gjithë bashkë në këmbë te selia “Agimi”. Salla me tavolina e karrige rreth e rrotull. Prezantim i shpejtë, fjalë të shkurtëra nga dy palët. Z.Skeja tha se ky bashkëpunim do vazhdojë dhe meriton të festohet me një koktej modest, ku nuk mungoi birra “Peja” dhe uiski.
Me disa këngë u mbyll ky takim miqësor, premtues, me kënaqësi të ndërsjellë, që vulosi një bashkëpunim që vazhdon ende, prej dy dekadash.
Të nesërmen festa vazhdonte, qyteti ishte plot gjallëri dhe mizëri; buçisnin altoparlantët me këngë patriotike, flamuri kuq e zi kudo, i vetmi atëherë për Kosovën; njerëz me kostume popullore, me veshje karakteristike si xhamadan, jelek të qëndisur, kurora, qeleshe etj.
Në “Princ kafe” te Shatërvani, u ulëm afër 50 vetë dhe përsëri nuk m’u dha mundësia për një kafe bashkëqytetarëve të mi! Dy prizrenas nga Zvicra, për respekt kur dëgjuan se ishim grup artistik nga Shqipëria, kishin paguar faturën pa na thënë asgjë?!
Dita kaloi shpejt me shëtitje e vizita në qytet dhe mbasdite vonë u ngjitëm në Kala. “Antipatrea” shpalosi aftësitë e arkivin e vet më të mirë të këngës qytetare. Duartrokitje e bise entusiazte, Vergjinisë për mjeshtërinë, Hyries për energjinë dhe embëlsinë e interpretimit, si edhe Ludmillës; instrumentistëve, violinë Meritës dhe Dianës, klarinetë Mekes, Përparimit në fizarmonikë, Thomait në kitarë dhe Enverit me def; korit me S.Bobo, N.Mile, LL.Kajana, F.Bandilli, C.Marini, L.Bendi, N.Kërdhicka K.Korica etj… (ndjesë për ata që sot nuk janë më!)
Të kënaqur, të suksesshëm, të gëzuar të lodhur dhe uritur, morëm tatëpjetë kalanë e Prizrenit dhe drejt e tek lokali afër Shatërvanit, ku na priste darka e shtëpisë nga Komuna Prizren.
Ishte errësuar, dita e gjatë ja kishte lënë vendin natës, që ndriçonte nga atmosfera e festës. Jashtë, rrethuar nga lokalet e mbushur plot, mes turmave të njerëzve që bënin xhiro darkuam qetë dhe plot kënaqësi. Prej orarit dhe ngarkesës gati po çoheshim kur… dikush nga grupi nisi një këngë beratase. Spontane, por u bënë dy, tre zëra, u shumuan, na përpiu të gjithëve kënga, si cunami! Dhjetra zërat tanë kumbonin në qendër të Prizrenit, grisën atë tis mbrëmjeje dhe plogështie pas një dite të gjatë. Mbaroi kënga e parë, filloi e dyta, vazhdoi e treta… pas çdo kënge njerëzit që na rrethonin shtoheshin, duartrokisnin, kërkonin edhe një, atë me kalanë, atë tjetrën me lumin …! Po zbrazej xhiroja dhe lokalet nga klientët, edhe “Theranda” matanë Urës! Kur… tërë mirësjellje e respekt dy pronarë ngjitur na bënë ftesë:- lu lutemi, ejani te lokali ynë këndoni, gjithçka falas nga lokali! Ftesë vëllazërore. U çvendosëm dhe filloi një koncert i këngëve beratase, më i veçanti, më i mahnitshmi, më i bukuri që ishte bërë ndonjëherë!
Nuk kishte gjë më origjinale për mbylljen e asaj feste të shënuar!
Gjithçka befas kishte rrjedhur vet dhe po shfaqej kaq bukur në natyrë, me sfond Kalanë, pa solistë e spektatorë, pa skenë e dekore, pa prezantues, gjithçka pa përmasa dhe pa kufij! Dritat e banesave rrotull u fikën, njerëzit vinin në Shatërvan se po këndohet shqip, kaq bukur… janë grup nga Shqipëria...!
Këngët beratase në atë mbrëmje gjetën shtratin e vet! Zërat e banorëve që këndonin bashkë me ne “Mora përpjetë Kalanë”, ngjizeshin në një harmoni të përsosur. Jehona shpërndahej luginës së Lumbardhës, sipër Kalasë drejt kodrave të Prevallës, maleve të Dragash*t, luginës së Drinit dhe po e shkundnin Prizrenin! Ndoshta këngët e Beratit përqasen e tingëllojnë ndryshe kur kanë afër kala, sokak me zaje lumi, urë dhe shtëpi të gurta, shushurimë shatërvani apo lumi; ndoshta ishte hera e parë në liri që Prizreni shijonte “live” mesazhet e këngëve të Beratit?!
Ja, nisi një zë brilant uturimë, “Pavaroti” beratas, Sotiraq Kule: -“…vajzë thyeji ato gjilpëra, çe do pajën ti; një tjetër më pas-“… edhe gurët e sokakut për ty bëjnë shiqajet”; si mos prekesh me: ”…aman po thërras, hiç njeri s’dëgjon, kur hyj në Mangalem, në zemër më pikon”; “…ky Berat vend i bukur”, “Mu ke ura me dërrasa…”, “Hodha sytë mbi Goricë…”…këngë edhe për moshën?!: “…pse m’ke hipur kaq o moj pleqëri, në tu kthefsha prap…”. Nuk mund të mos mos shtangesh para këtyre mrekullive?!
Refreni i asaj nate të veçantë u bë kënga qytetare beratase. Prizreni dhe Berati, dorë për dore, bashkë duke kënduar, “Morën përpjetë kalanë” deri vonë!
Duke pirë e mbushur uji në çezmat e Shatërvanit me besim se do ktheheshim prap aty, na dukej sikur njiheshim prej kohësh me Prizrenin, si dy vëllezër të ribashkuar pas një ndarje të gjatë! Për një shekull, rrodhi papushim uji i Shatërvanit, rrodhi ADN-ja në dejet tona dhe për një ditë e ndjemë se jemi një!
Të nesërmen kur përcolla bashkëqytetarët e mi, nuk e kishim më nostalgjinë si në ardhje. Ata po shkonin në Berat ku tashmë e dinin se do gjenin edhe pak Prizren; edhe unë u ktheva në Prizren ku nuk do më mungonte më Berati!
Sa herë shkoj në Prizren, te Shatërvani shoh ujin që rrjedh e vazhdon të rrjedh edhe 17 vjet që nga ajo natë e jashtëzakonshme qershori 2004!
Janar 2022