12/08/2026
Urime dhe suksese, znj. Nita Efendia Brovina!
Në emër të sportistëve të Klubit të Sporteve për Personat e Verbër “L3 Gjakova”, si dhe në emrin tim si kryetar i klubit, ju shpreh urimet më të përzemërta për emërimin tuaj nga Kryetari i Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjini, në detyrën e Drejtoreshës së Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport.
Ju urojmë shumë suksese, punë të mbarë dhe rezultate të shkëlqyera në këtë përgjegjësi të re. Besojmë se përkushtimi, profesionalizmi dhe bashkëpunimi juaj do të sjellin kontribut të çmuar për kulturën, rininë dhe sportin në Komunën e Gjakovës.
Klubi ynë ju uron një rrugëtim të suksesshëm në detyrën e re dhe shpreson në një bashkëpunim të ngushtë e të frytshëm në mbështetje të sportit dhe gjithëpërfshirjes.
Urime dhe shumë suksese në detyrën e re!
Me respekt,
Mark Pjetraj
Kryetar i Klubit të Sporteve për Personat e Verbër “L3 Gjakova”
27/07/2026
Sot është një ditë e rëndësishme për Klubin e Sporteve për Personat e Verbër L3 Gjakovë.
Kryetari i klubit z. Mark Pjetraj i shoqëruar nga sekretari z. Çlirim Shabanaj, nënshkroi kontratën për financimin e projektit “Masivizimi i Sporteve për Personat e Verbër”.
Me këtë rast, shprehim mirënjohjen dhe falënderimet tona më të sinqerta për drejtoreshën znj. Adea Roka Pylla dhe udhëheqësin e Sektorit të Sportit, z. Labinot Efendija, për mbështetjen, besimin dhe bashkëpunimin e tyre në realizimin e këtij projekti me rëndësi të veçantë.
Ky projekt paraqet një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit dhe masivizimit të sportit për personat e verbër, duke krijuar mundësi më të mëdha për pjesëmarrje, përfshirje dhe sukses.
Faleminderit Komunës së Gjakovës, Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, si dhe të gjithë atyre që mbështesin misionin tonë për një sport gjithëpërfshirës.
Së bashku ndërtojmë mundësi të barabarta për të gjithë!
08/07/2026
Klubi Sporteve për Personat e Verbër L3 Gjakova shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e tij të sinqertë për Drejtoreshën Adea Roka, për mbështetjen financiare të dhënë për projektin e klubit tonë.
Kjo mbështetje përfaqëson një investim të rëndësishëm në promovimin e sportit gjithëpërfshirës, fuqizimin e personave të verbër dhe krijimin e mundësive të barabarta për pjesëmarrje aktive në jetën sportive dhe shoqërore.
Vlerësojmë lartë përkushtimin, bashkëpunimin dhe gatishmërinë e Drejtoreshës Adea Roka për të mbështetur iniciativa që kontribuojnë në mirëqenien dhe zhvillimin e komunitetit. Besimi i dhënë ndaj klubit tonë na motivon të vazhdojmë punën me përkushtim edhe më të madh.
Me respekt dhe mirënjohje të thellë, ju falënderojmë për kontributin tuaj të çmuar dhe ju urojmë suksese të mëtejshme në angazhimin tuaj në shërbim të kulturës, rinisë, sportit dhe qytetarëve të Gjakovës.
24/01/2026
Shahistët e klubit L3 Gjakova morën pjesë në Kampionatin Individual Kualifikues në Shah për të Verbër 2026 të organizuar nga FSVK, një garë me nivel të lartë konkurrence dhe përfaqësim dinjitoz. Kampionati u zhvillua me sistem prej 7 gjirove, ku secili shahist pati mundësinë të dëshmojë përgatitjen, disiplinën dhe përkushtimin e tij sportiv.
Pas përfundimit të të gjitha gjirove, përfaqësuesit e klubit L3 Gjakova u renditën si në vijim:
Në vendin e 6-të u rendit Pavlika Rajer, duke grumbulluar 5 pikë, një rezultat shumë i mirë që reflekton formë të qëndrueshme dhe lojë të mençur gjatë gjithë kampionatit.
Në vendin e 10-të u rendit Sokol Elezaj, me 4 pikë, duke treguar luftë sportive dhe paraqitje solide në secilën ndeshje.
Ndërsa në vendin e 17-të u rendit Taulant Dula, me 3 pikë, duke fituar përvojë të vlefshme në një garë të fortë kombëtare.
Falë këtij rezultati, Pavlika Rajer ka siguruar kualifikimin për fazën finale të Kampionatit të Shahut, e cila u mbajt në Shëngjin, duke përfaqësuar me krenari klubin L3 Gjakova dhe duke dëshmuar nivelin në rritje të shahistëve të verbër nga ky klub.
Pjesëmarrja dhe rezultatet e arritura në këtë kampionat janë dëshmi e punës së vazhdueshme, përkushtimit dhe pasionit për sportin e shahut, si dhe një motivim i fortë për garat e ardhshme dhe zhvillimin e mëtejmë të këtij sporti.
https://s1.chess-results.com/tnr1339180.aspx?lan=1&art=1&SNode=S0
08/01/2026
KOSOVA NGJITET NË RENDITJEN BOTËRORE 🇽🇰⚽️
Komiteti i Sportit të Futbollit pranë Federatës Ndërkombëtare të Sporteve për Personat me Aftësi të Kufizuara (IBSA) ka publikuar Renditjen Botërore të Futbollit për të Verbër për meshkuj për vitin 2026.
Pas pjesëmarrjes historike në Kampionatin Evropian, Divizioni i Dytë, të mbajtur në Poloni, Kombëtarja e Kosovës është ngritur në vendin e 40-të në botë, nga vendi i 64-të sa ishte vitin e kaluar. 💪
“Dardanët” kanë lënë pas kombëtare si Belgjika, Rusia, Sllovenia, Shqipëria dhe shumë të tjera me emër.
Renditja botërore e kombëtareve të Futbollit për të Verbër 👇
https://is.gd/3ILZQa
Vazhdojmë rrugën drejt avancimit! 🇽🇰⚽️💪
05/12/2025
Klubi i Sporteve për Personat e Verbër “L3 Gjakova” ka realizuar me sukses projektin “Sport dhe Integrim” përmes kampingut të shahut, i cili u mbajt në Kuqishtë, tek “Guri i Kuq”. Gjatë këtij kampingu, shahistët e klubit patën mundësinë të zhvillojnë dhe avancojnë më tej aftësitë e tyre në lojën e shahut.
Falënderojmë Presidencën e Republikës së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme që po u ofron sportistëve të verbër në Gjakovë. Po ashtu, shprehim mirënjohjen edhe për z. Qemal Gashi, i cili bashkëfinancoi këtë aktivitet dhe kontribuoi në realizimin e tij me sukses.
24/11/2025
Letër zyrtare për mbështetje financiare
I nderuar/ e nderuar,
Klubi i Sporteve për Personat e Verbër “L3 Gjakova” po përgatitet për realizimin e aktiviteteve sportive për vitin 2026, të cilat kanë për synim përfshirjen, zhvillimin fizik, socializimin dhe fuqizimin e personave të verbër në komunën tonë.
Përmes kësaj letre, ju drejtohemi me respekt dhe mirënjohje të sinqertë duke kërkuar mbështetjen tuaj financiare, e cila është tejet e rëndësishme për zhvillimin e aktiviteteve tona vjetore. Kontributi juaj do të mundësojë organizimin e garave, trajnimeve sportive, pajisjeve të nevojshme, si dhe përfshirjen sa më të gjerë të anëtarëve tanë në aktivitete të shëndetshme dhe gjithëpërfshirëse.
Mbështetja juaj nuk është vetëm ndihmë financiare, por një hap i rëndësishëm drejt inkurajimit të barazisë, respektit dhe vlerësimit të potencialit të personave të verbër në komunitetin tonë. Çdo kontribut është i çmuar dhe do të përdoret me transparencë dhe përgjegjësi të plotë.
Ju falënderojmë sinqerisht për mirëkuptimin, mbështetjen dhe gatishmërinë tuaj për të qenë pjesë e nismave tona për vitin 2026. Jemi të hapur për bashkëpunim dhe për çdo informatë shtesë që mund të kërkoni.
Me respekt,
Klubi i Sporteve për Personat e Verbër “L3 Gjakova”