15/08/2026
Bledi drejt Lojërave Mesdhetare Taranto 2026
Sot, në Akademinë Tiger, nën drejtimin e trajnerit dhe selektorit Muhamed Saqipi, zhvilluam një tjetër seancë stërvitore me Bledin, në kuadër të përgatitjeve për pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026.
Bledi do të jetë pjesë e ekipit të Kosovës në Taekwondo, duke përfaqësuar vendin tonë në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare.
Në Taranto 2026, Kosova do të përfaqësohet me 163 sportistë, 87 meshkuj dhe 76 femra, në 21 sporte, duke shënuar delegacionin më të madh të Kosovës në historinë e pjesëmarrjes në Lojërat Mesdhetare.
Lojërat do të zhvillohen nga 21 gushti deri më 3 shtatori 2026, në Taranto të Italisë.
Për Akademinë Tiger, pjesëmarrja e Bledit në këtë nivel është një krenari e veçantë dhe rezultat i punës, disiplinës dhe përkushtimit të vazhdueshëm.
Rruga drejt rezultateve të mëdha ndërtohet në çdo trening.
Suksese Bledi! Përfaqësoje Kosovën me krenari. Akademia Tiger është me ty.
08/07/2026
☀️ Vera është koha ideale që fëmijët të qëndrojnë aktivë, të mësojnë dhe të zhvillohen!
Në Akademinë e Taekwondos & Hapkidos TIGER – Prishtinë, fëmijët forcojnë trupin, ndërtojnë vetëbesimin, mësojnë disiplinën dhe krijojnë miqësi në një ambient të sigurt e motivues.
Për anëtarët tanë, stërvitjet vazhdojnë edhe gjatë verës. Mos e ndërprisni ritmin e stërvitjes, sepse përparimi arrihet me punë, përkushtim dhe vazhdimësi.
Dy lokacione në Prishtinë:
Lagjja Tophane
Lagjja e Spitalit – Shkolla "Pavarësia"
Regjistrimet janë të hapura!
📞 Na kontaktoni: 044 110 848
Vizitoni faqen tonë: www.taekwondo-hapkido-tiger.com
Akademia Taekwondo & Hapkido "Tiger" Prishtinë
Për më shumë informacion vizitoni ueb-faqen
www.taekwondo-hapkido-tiger.com
03/07/2026
🥋 Katër vite në një fotografi.
Në vitin 2022 filluam hapat e parë, me fitimin e brezit të verdhë. Sot, në vitin 2026, Emira Ahmeti mban me krenari brezin e kuq.
Si trajner, nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të shohësh një nxënëse të rritet me disiplinë, përkushtim dhe karakter.
Urime, Emira! Jemi krenarë për rrugëtimin tënd dhe të urojmë që me të njëjtin vullnet e përkushtim të arrish edhe shumë suksese e medalje në vitet që vijnë.
Akademia Tiger
14/06/2026
STËRVITJE NË NATYRË ME GRUPIN E FËMIJËVE
Sot në Gërmi, me grupin e fëmijëve të Akademisë Tiger, zhvilluam një stërvitje ndryshe nga rutina e zakonshme – në zemër të natyrës.
Në çdo hap, vrap, ushtrim dhe lojë, u pa qartë energjia, disiplina dhe dashuria e fëmijëve për sportin. Natyra na kujton se forca e vërtetë nuk ndërtohet vetëm në sallë, por edhe përmes përvojave që i japin zemrës dhe trupit liri, sfidë dhe gëzim.
Ishte një moment shumë i veçantë kur fëmijët vetë falënderonin trajnerët për këtë mundësi. Këto fjalë të thjeshta, por të sinqerta, janë motivimi më i madh për ne si trajnerë dhe na tregojnë se jemi në rrugën e duhur.
Sporti nuk është vetëm teknikë – është karakter. Është respekt, përulësi, përpjekje dhe rritje e vazhdueshme.
Faleminderit të gjithë fëmijëve për disiplinën dhe energjinë e tyre, dhe prindërve për besimin e vazhdueshëm.
Disa momente nga Gërmia sot.
Akademia Tiger – ku formohen kampionë të sportit dhe të jetës.
30/05/2026
🥋 7th ULCINJ TROPHY – INTERNATIONAL TAEKWONDO TOURNAMENT 🥋
Sot, më 30 maj, në Ulqin u zhvillua turneu ndërkombëtar “7th Ulcinj Trophy”, me pjesëmarrjen e rreth 350 sportistëve nga 6 shtete.
Akademia Tiger mori pjesë me 4 sportistë dhe arriti të fitojë 3 medalje: 1 të artë dhe 2 të argjendta, duke dëshmuar cilësinë, përgatitjen dhe shpirtin garues të ekipit tonë.
🏆🥇 Emira Ahmeti (Kadete e re -36 kg) zhvilloi një garë të jashtëzakonshme, duke fituar tri ndeshje radhazi dhe duke mposhtur me meritë të gjitha kundërshtaret e saj. Përveç medaljes së artë, ajo fitoi edhe Trofeun e Kadetes më të Mirë të Turneut, një vlerësim i veçantë për performancën e saj të shkëlqyer.
🥈 Blin Murati (Kadet -41 kg) arriti në finale pas një paraqitjeje shumë të mirë dhe fitoreve bindëse gjatë garës. Për shkak të një vlerësimi teknik në finale, ndeshja për medaljen e artë nuk u zhvillua. Megjithatë, Blini tregoi nivel të lartë teknik, disiplinë dhe performancë të qëndrueshme gjatë gjithë turneut.
🥈 Ernes Zekaj (Kadet i ri -51 kg) zhvilloi një paraqitje shumë të mirë dhe ishte shumë afër medaljes së artë, duke fituar medaljen e argjendtë. Gjatë garës u përball me kushte jo të përshtatshme, përfshirë helmetë të papërshtatshme, por tregoi disiplinë, qëndrueshmëri dhe nivel të lartë sportiv.
🥋 Amar Ahmeti (Kadet -49 kg) tregoi nivel të lartë teknik dhe ishte në epërsi gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes. Në sekondat e fundit, kundërshtarit iu regjistruan pikë pa pasur fare kontakt me trupin e Amarit, çka ndikoi drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar. Pavarësisht ankesës sonë, vendimi nuk u ndryshua. Megjithatë, Amari dëshmoi paraqitje të shkëlqyer, karakter sportiv dhe cilësi që premtojnë suksese në garat e ardhshme.
Ky turne ishte një përvojë e vlefshme për sportistët tanë dhe një tjetër dëshmi se puna, disiplina dhe përkushtimi sjellin rezultate.
Urime të gjithë garuesve për paraqitjen e tyre dhe falënderime për prindërit dhe mbështetësit që janë gjithmonë pranë Akademisë Tiger.
24/05/2026
4 MEDALJE PËR AKADEMINË NË TAEKWONDO ALBANIAN BABY CUP
Akademia jonë mori pjesë në këtë aktivitet ndërkombëtar me pesë sportistë të rinj, të cilët dëshmuan disiplinë, karakter sportiv dhe potencial të madh në arenën garuese. Për disa prej tyre, kjo ishte eksperienca e parë në një kompeticion të këtij niveli, megjithatë paraqitjet e tyre ishin mjaft dinjitoze dhe premtuese për të ardhmen.
🥈 Emira Ahmeti – (-40 kg)
Pas një performance shumë të mirë në gjysmëfinale, arriti të kualifikohet në finale, ku u ndal me një diferencë minimale pikësh, duke fituar medaljen e argjendtë.
🥈 Ernes Zekaj – (+48 kg)
Dominoi dy luftëra me rezultat “Point Gap”, pa pranuar asnjë pikë nga kundërshtarët. Në finale u përball me një garues më me përvojë dhe, pas një ndeshjeje të fortë, fitoi medaljen e argjendtë. Një paraqitje shumë cilësore dhe premtuese.
🥈 Oar Sejdiu – (-48 kg)
Tregoi qetësi, disiplinë dhe nivel të mirë teknik, duke siguruar medaljen e argjendtë.
🥉 Amar Ahmeti – (-49 kg)
Me angazhim dhe paraqitje të mirë në luftë, u rendit në vendin e tretë, duke fituar medaljen e bronztë.
🔹 Blin Murati – Kadet (-41 kg)
Edhe pse kësaj here mbeti pa medalje, tregoi guxim, disiplinë dhe karakter sportiv. Përvoja e fituar në këtë garë do të jetë shumë e vlefshme në zhvillimin e tij sportiv.
Falënderim i veçantë për trajnerin Ermal Saqipi, i cili i shoqëroi dhe udhëhoqi sportistët tanë në tapet me përkushtim, profesionalizëm dhe mbështetje të vazhdueshme gjatë gjithë garës.
Jemi krenarë me secilin sportist për përkushtimin, sjelljen sportive dhe nivelin që treguan në këtë kampionat. Këto rezultate janë dëshmi e punës sistematike, disiplinës dhe përgatitjes së vazhdueshme në Akademinë tonë.
Sukseset e mëdha ndërtohen hap pas hapi.
28/04/2026
Më 27.04.2026, në një atmosferë dinjitoze dhe me rëndësi të veçantë për zhvillimin e sportit në vend, u realizua nënshkrimi i kontratave në kuadër të programit “Shpresat Olimpike”. Ky moment përfaqëson një hap të rëndësishëm në mbështetjen dhe avancimin e sportistëve të rinj me potencial të lartë.
Kontrata u nënshkrua nga Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, z. Ismet Krasniqi, dhe sportisti i talentuar i Akademisë “Tiger”, Bled Tufa, në praninë e trajnerit të tij, Muhamed Saqipi, i cili ka dhënë kontribut të vazhdueshëm dhe të çmuar në zhvillimin dhe arritjet e tij sportive.
Ky bashkëpunim synon krijimin e kushteve optimale për përgatitje profesionale, rritje të performancës dhe pjesëmarrje dinjitoze në gara ndërkombëtare, me synim arritjen e rezultateve kulmore.
Programi “Shpresat Olimpike” mbetet një dëshmi e qartë e përkushtimit institucional për të investuar në të ardhmen e sportit kosovar dhe për të mbështetur talentet që përfaqësojnë vendin me nder dhe përgjegjësi në arenën ndërkombëtare.
Ky është një hap i rëndësishëm në rrugëtimin sportiv të Bled Tufës dhe një motivim shtesë për të vazhduar drejt sukseseve të mëdha, duke përfaqësuar me krenari Akademinë “Tiger”, qytetin dhe Kosovën.
17/01/2026
Taekwondo ka rrënjë ushtarake.
Shumë nga teknikat e tij janë kriju për mbrojtje reale në ushtrinë koreane.
Prandaj sot theksi është në disiplinë, vetëkontroll dhe respekt, jo vetëm në luftë.
Taekwondo nuk është veç sport – është formim karakteri.
09/01/2026
Çfarë përfiton fëmija nga Taekwondo-ja?
Vetëbesim dhe vetërespekt
Disiplinë dhe kontroll të sjelljes
Aftësi të forta të vetëmbrojtjes
Trup të shëndoshë dhe mendje të fortë
Përqendrim më të mirë në shkollë
Energji, aktivitet dhe shëndet më të mirë
Respekt për prindërit, trajnerin dhe shokët
Shoqëri të mirë dhe ndjenjë komuniteti
Karakter të fortë dhe vlera jetësore
Qëllime, këmbëngulje dhe përgjegjësi
Mundësi garimi në nivel lokal, rajonal dhe ndërkombëtar
Taekwondo Olimpike dhe Tradicionale – edukim i plotë në një rrugëtim
Taekwondo-ja nuk është vetëm sport – është shkollë jete për fëmijën.